Më 28 shtator 2026, UBT solli Natën Evropiane të Studiuesve në katër lokacione të Kosovës, duke përfshirë gjithsej 572 pjesëmarrës. E organizuar në kuadër të projektit “Digital Bridges: Science, Media, Society” (DiBS), të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Horizon Europe, kjo ngjarje u ofroi studentëve dhe qytetarëve mundësinë të takojnë studiues, të marrin pjesë në aktivitete praktike dhe të diskutojnë mbi ndikimin e shkencës dhe teknologjisë në jetën e përditshme.
Aktiviteti kryesor u mbajt në kampusin e UBT-së, Smart Sustainable City në Lipjan, nën moton “Eksploro, Zbulo, Ndrysho Botën!”. Vizitorët patën mundësinë të eksploronin hapësira interaktive të shkencës, të njiheshin me projektet e studentëve përmes ekspozitës “When Science Meets Art” (Kur shkenca takohet me artin), si dhe të ndiqnin demonstrime praktike në Laboratorin e Mekatronikës.
Një pjesë e programit ishte edhe kuizi “MindBridge”, përmes të cilit pjesëmarrësit testuan njohuritë e tyre në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Ndërkaq, studiuesit mbajtën ligjërata të shkurtra mbi inteligjencën artificiale në jetën e përditshme, të ardhmen e arsimit dhe sfidat që paraqesin imazhet dhe videot e manipuluara me teknologji digjitale (deepfake), si dhe dezinformimi. Mbrëmja përfundoi me një dialog qytetar mbi rolin e shkencës dhe teknologjisë në shoqëri.
Në Qendrën Dukagjini në Prishtinë, programi u përqendrua në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe identitetin digjital. Pjesëmarrësit patën mundësi që njohuritë e fituara t’i zbatonin përmes aktiviteteve praktike, duke identifikuar tentativat për mashtrim përmes emailit dhe mesazheve (phishing), duke vlerësuar imazhe dhe audio të mundshme të manipuluara, si dhe duke verifikuar besueshmërinë e informacioneve në internet.
Ndërkaq, në ambientet e UBT-së në Prizren u zhvillua aktiviteti “Digital Futures – From Ideas to Innovation” (E ardhmja digjitale – nga idetë te inovacioni), i cili prezantoi rrugëtimin nga një pyetje kërkimore deri te krijimi i një zgjidhjeje digjitale. Përmes diskutimeve me studiues dhe sfidave ekipore, pjesëmarrësit u njohën me procesin e zhvillimit, testimit dhe përmirësimit të ideve, duke vendosur në qendër nevojat e njerëzve.
Aktiviteti i katërt u organizua në Xërxë, në Komunën e Rahovecit, duke e afruar Natën Evropiane të Studiuesve edhe me komunitetin lokal.
Përgjatë këtyre katër lokacioneve, pjesëmarrësit patën mundësi të bashkëbisedonin drejtpërdrejt me studiues, të shkëmbenin ide, të punonin në grupe dhe të zbatonin mendimin shkencor në situata të ndryshme të jetës së përditshme.
Përmes kësaj nisme, UBT kontribuon në afrimin e shkencës me shoqërinë, promovimin e kërkimit shkencor dhe fuqizimin e kulturës së inovacionit, duke krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet studiuesve, studentëve dhe komunitetit.
Projekti “Digital Bridges: Science, Media, Society” (DiBS), me numër 101305420, financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Horizon Europe.

