Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Kampusin e UBT-së në Lipjan, do të zhvillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale vjen si një platformë e mirëfilltë që synon të bashkojë komunitetin akademik, stomatologët, teknikët dentarë dhe profesionistët e fushës, me qëllim promovimin e inovacionit, bashkëpunimit ndërprofesional dhe edukimit të vazhdueshëm.
Përmes prezantimit të njohurive të reja shkencore, përvojave klinike dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike, konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë bashkëkohore në stomatologji. Ngjarjeve të tilla u jepet një vlerë e veçantë edhe përmes akreditimit zyrtar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, ku pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë EVP.
Lidhur me këtë ngjarje, Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj, ka theksuar:
“Si fakultet, mbetemi të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, duke besuar se bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe praktikës klinike është thelbësor për të ardhmen e stomatologjisë. I ftoj të gjithë kolegët, profesionistët dhe studentët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja dhe avancimin e profesionit tonë. Ju mirëpresim në UBT!”
Për të gjithë të interesuarit, regjistrimi i pjesëmarrësve në kampus zhvillohet më 23 tetor prej orës 14:00 deri në 17:00, si dhe më 24 tetor nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa procedurat e aplikimit dhe pagesës realizohen sipas udhëzimeve zyrtare të organizatorëve.
