Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.
Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon:
- Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)
- Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)
Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.
Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa prej 40 € bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).
Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është po ashtu 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.
Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: ic.ds@ubt-uni.net.
UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.
