Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.
“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.
Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:
“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.
Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.
