Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.
Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.
Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.
Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.
Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.
Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

