UBT News

UBT në Ferizaj hap regjistrimet në tri drejtimet më të kërkuara: Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë dhe Biznes

Qendra e UBT-së në Ferizaj, ka nisur zyrtarisht fushatën e regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik. Përmes një oferte akademike të ndërtuar mbi kërkesat e tregut modern të punës, kjo qendër po shndërrohet në destinacionin kryesor për të gjithë të rinjtë e rajonit të Ferizajt që duan të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në fushën e teknologjisë, planifikimit hapësinor dhe ekonomisë.

Në kuadër të shënimit të një çerekshekulli ekselencë akademike nga UBT, Qendra në Ferizaj ofron tri nga drejtimet më të kërkuara: Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, si dhe Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi. Ky model studimi kombinon anën teorike me praktikat më moderne, duke u dhënë studentëve mundësinë të pajisen me aftësi ndërkombëtare pa pasur nevojë të largohen nga qyteti i tyre.

Mbi rëndësinë e këtij afati dhe vizionin e kampusit, drejtoresha e qendrës, Fatime Tahiri, ka theksuar se Ferizaji po e përqafon çdo ditë e më shumë inovacionin, duke shtuar se përmes këtij kampusi të rinjtë po përfitojnë standarde të larta akademike dhe infrastrukturë moderne për një të ardhme të sigurt profesionale.

“Ferizaji po dëshmon çdo ditë e më shumë se është një qytet që e përqafon inovacionin dhe zhvillimin. Përmes kampusit tonë, ne po u ofrojmë të rinjve të këtij rajoni standardet më të larta akademike dhe infrastrukturën më moderne. Zgjedhja e UBT-së është një hap i sigurt drejt një të ardhmeje të ndritur profesionale, prandaj i ftojmë të gjithë maturantët që të bëhen pjesë e rrjetit tonë të ekselencës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë tani duke vizituar uebfaqen zyrtare të institucionit në www.ubt-uni.net.

Për informata shtesë rreth procesit të regjistrimit, UBT ka vënë në dispozicion numrin e telefonit +383 38 541 400 si dhe adresën elektronike info@ubt-uni.net.

 

Exit mobile version