UBT News

UBT mori pjesë në konferencën për sportin dhe programet evropiane në Universitetin e Sporteve të Tiranës

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, nën shoqërimin e dekanit të Fakultetit Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, Masar Gjaka, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Universiteti i Sporteve të Tiranës, për programet evropiane dhe sportin.

Në këtë konferencë, rektori Hajrizi dhe pjesëmarrësit e tjerë diskutuan për nismat e përbashkëta në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, si dhe për krijimin e një rrjeti të universiteteve dhe fakulteteve të shkencave sportive në Ballkan, të cilat do të punojnë në të ardhmen në projekte në fushën e sportit dhe shëndetit.

Rektori Hajrizi, para një paneli të vlerësuar ndërkombëtarësh nga universitete të ndryshme të Evropës, përfshirë Universitetin e Vjenës dhe Universitetin e Romës, tha se fusha e sportit është një fushë e cila është e ndërlidhur ngushtë me shëndetin dhe e cila duhet trajtuar mirë në aspekte të ndryshme duke bashkëpunuar me institucione relevante, për të mirën e studentëve.

“Ne përpiqemi të krijojmë një lloj ekosistemi inovativ universitar, kështu për të krijuar kushte më të mira për arsimin në shkencë, teknologji dhe hulumtim. Ne e kemi kuptuar që sporti nuk është një çështje e thjeshtë, është komplekse, sepse është i lidhur me shëndetin, me performancën dhe teknologjinë e shumë gjëra të tjera, dhe për këtë na duhet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve relevante për të sjell kushte sa më të mira për studentët”, ka thënë rektori Hajrizi.

Dekani i Fakultetit Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, Masar Gjaka, ka thënë se krijimi i një rrjeti të tillë të universiteteve që kanë programe të sportit, pjesë e të cilit janë edhe Universiteti i Romës “Foro Italico” dhe Universiteti i Vjenës, ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të institucioneve pjesëmarrëse.

“Ideja për krijimin e një rrjeti të universiteteve që kanë programe të sportit është e duhur, dhe vet prania e rektorit Hajrizi dhe e imja në cilësinë e dekanit të Fakultetit Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes është konfirmim që dëshirojmë të jemi pjesë dhe të japim kontribut në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat do të kontribuonin në zhvillimin e institucioneve respektive, por edhe të tërë regjionit”, ka thënë profesori Gjaka.

Përmes zhvillimit të këtij rrjeti të universiteteve, synohet të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi i cili do të krijojë mundësi reciproke për stafin akademik dhe studentët për të shkëmbyer eksperienca në projekte dhe programe të përbashkëta evropiane.

Exit mobile version