Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, ka mbajtur një tryezë të diskutimit së bashku me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Odën Ekonomike Austriake, në të cilën u diskutua për potencialet e resurseve njerëzore që ka Kosova dhe mënyrën e shfrytëzimit efektiv të këtyre resurseve.
Në tryezën e titulluar: “Bridging the Skills Gap”, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se Kosova ka potencial për t’u zhvilluar edhe më shumë dhe se është shumë e nevojshme lidhja mes akademisë dhe industrisë, duke qenë kështu një fakt shumë i rëndësishëm në zhvillimin e potencialeve të resurseve njerëzore.
“Lidhja mes akademisë dhe industrisë është një nocion dhe definicion që ka kohë që dihet dhe nuk është nevoja të tregojmë se sa është i rëndësishëm, sepse kjo lidhje është e domosdoshme. Pyetja nuk është a jemi ne me standarde të mira dhe a jemi të konfirmuar, tani është pyetja se si të mbajmë edhe qëndrueshmërinë tonë të zhvillimit ekonomik në Kosovë, sepse trendi i mobilitetit, lëvizjes së popullatës është i theksuar, pra dihet nga statistikat”, ka thënë rektori Hajrizi.
Nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, ka prezantuar aktivitetet dhe mënyrën e funksionimit të kësaj ode, teksa ka vlerësuar disa gjëra të nevojshme për profilizimin që po bëhet krahas nevojës së tregut të punës.
“Jemi të kualifikuar por i kemi kualifikimet e gabuara për atë se çfarë kërkohet në tregun e punës. Aty ku shohim mundësi shumë të mira të bashkëpunimit mes UBT-së dhe kompanive tona anëtare por edhe kompanive gjermane ose austriake është në veçanti në Mekatronikë, Shkolla Profesionale, Zhvillues Softuerik, ku këtu ka mundësi të shumta për punë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, nga Oda Ekonomike Austriake, Vjosa Huruglica, ka thënë se i gjithë rajoni është duke pasur problem me fuqinë punëtore, ndaj për këtë arsye bëhet thirrje për harmonizim të sistemit arsimor me tregun e punës.
“Në bazë të anketave që kemi bërë me kompanitë austriake, jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin, del se kompanitë austriake kanë vërejtur mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Kur jemi tek kjo pikë mendojmë që harmonizimi i sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë ajo.
UBT ka zhvilluar një numër të madh të programeve të studimit, duke përfshirë të gjitha fushat e jetës, gjithnjë duke u bazuar në kërkesat e tregut të punës, në bashkëpunim të ngushtë me industrinë. Këtë e dëshmon edhe fakti se mbi 90% e studentëve të UBT-së, janë të punësuar, në saje të përkushtimit të tyre dhe profesionalizmit që kanë, si dhe nuhatjes së UBT-së karshi kërkesave të tregut të punës.