UBT vazhdon të dëshmojë ekspertizën dhe rolin e tij të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në zhvillimin e programeve inovative akademike.
Në kuadër të projekteve Erasmus+, Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Dr. Besnik Qehaja, morën pjesë në një punëtori ndërkombëtare të organizuar në Universitetin Teknik të Sofjes, në Bullgari, së bashku me përfaqësues të universiteteve partnere.
Punëtoria u fokusua në zhvillimin e një programi të përbashkët ndërkombëtar të studimeve Master në Siguri Kibernetike dhe Forenzikë Digjitale (Cybersecurity and Digital Forensics). Gjatë saj u trajtuan struktura e programit, harmonizimi i kurrikulave dhe përcaktimi i kompetencave profesionale, në përputhje me standardet evropiane dhe kërkesat e tregut të punës.

Përmes angazhimit aktiv dhe ekspertizës së përfaqësuesve të tij, UBT rikonfirmoi rolin e tij si partner i besueshëm në iniciativat akademike ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, avancimin e ndërkombëtarizimit dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
