Fakulteti Shkenca Politike në UBT ka mbajtur webinarin virtual “Sondazhet elektorale në Kosovë mes realitetit shkencor dhe politikës”, ku u diskutua për sondazhet elektorale që po realizohen në Kosovë, në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Panelistët e këtij webinari trajtuan dhe debatuan matjet e fundit që kompani të ndryshme po bëjnë për të krijuar opinion publik, mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.
Visar Berisha nga kompania “Kantar”, ka thënë se sondazhet elektorale të publikuara deri më tani në Kosovë, nuk kanë qenë transparente.
“Në shumicën e rasteve kanë munguar apo ka qenë e paqartë mosha e respodentëve, së bashku me teknikën e mbledhjes së të dhënave, si dhe faktin se sa ka qenë refuzimi i mostrës për përgjigje, sepse në rast se ka një numër të madh të refuzimit, mundet që shumë lehtë të shtrembërohet i gjithë hulumtimi”, ka thënë Berisha.
Ndërsa profesori Ridvan Peshkopia ka vlerësuar se sondazhet janë një fenomen i ri në Kosovë dhe Shqipëri, duke shtuar se anketimi i opinionit publik është proces prodhimi. Ai ka thënë se gabimet e metodologjisë hulumtuese shpesh herë nuk i kapin ndryshimet e strukturës shoqërore, teksa ka marrë si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në shumicën e rasteve kompanitë hulumtuese nuk tregojnë saktësisht se çka është matur sepse shumë gjëra pastaj mund të dalin të pasakta dhe të pavlera, si shembull ne nuk e dimë sa është faktorizimi i gatishmërisë për të votuar pikërisht te këta respondent”, ka thënë Peshkopia.