UBT News

UBT International Smart Schools shënoi 7 Marsin dhe Ditën e Shkollës me një program festiv dhe artistik

UBT International Smart Schools organizoi një program festiv dhe artistik me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Shkollës, një ngjarje që mblodhi së bashku nxënës, prindër, mësimdhënës, përfaqësues të stafit të UBT-së dhe mysafirë të shumtë.

5, 6 dhe 7 marsi përkujtojnë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një moment historik që përfaqëson sakrificën dhe qëndresën për liri, ndërsa 7 Marsi shënon Ditën e Mësuesit, një ditë falënderimi për të gjithë ata që me përkushtim dhe dashuri ndriçojnë rrugën e dijes për brezat e rinj. Për komunitetin e shkollës, kjo ditë shënoi edhe Ditën e Shkollës së UBT International Smart Schools.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të mësuesve dhe rëndësinë e arsimit në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe të orientuar drejt inovacionit. Ai theksoi se arsimi mbetet shtylla kryesore e zhvillimit dhe se institucionet arsimore kanë përgjegjësinë të përgatisin gjenerata të reja të afta për sfidat e kohës moderne.

Rektori Hajrizi gjithashtu theksoi se vizioni i UBT-së për arsimin bashkëkohor bazohet në dije, kreativitet, teknologji dhe inovacion, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe duke i përgatitur ata për një të ardhme globale.

Në vijim të programit, me një fjalë rasti u drejtua edhe zëvendësdrejtoresha e UBT International Smart Schools, Shqipe Agushi, e cila vlerësoi përkushtimin e mësimdhënësve dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e nxënësve. Ajo theksoi se shkolla synon të ndërtojë një mjedis modern të të nxënit, ku nxënësit zhvillojnë njohuri, kreativitet dhe aftësi që i përgatisin për të ardhmen.

Programi vazhdoi me një pjesë të pasur artistike dhe kulturore, ku nxënësit e UBT International Smart Schools prezantuan këngë, recitime, valle tradicionale dhe pjesë teatrale. Interpretimet muzikore përfshinë këngë si “Pyes lotin”, “Sërish vjen marsi”, “Abetarja ime” dhe “Mësuesja ime”, ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe interpretime poetike, valle folklorike si Vallja e Tropojës dhe Vallja e Zanave, si dhe pjesë artistike e komike si “Lajmet e Mesditës”.

Ky aktivitet festiv u shndërrua në një moment të veçantë reflektimi dhe festimi, duke theksuar rëndësinë e arsimit, kulturës dhe historisë në formimin e brezave të rinj, si dhe duke përforcuar misionin e UBT International Smart Schools për të ofruar një edukim modern dhe cilësor në përputhje me standardet bashkëkohore ndërkombëtare.

Exit mobile version