Një ekip i UBT-së, udhëhequr nga drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, msc. Shqiprim Ahmeti dhe në përbërje të dr.sc. Tomor Çela dhe dr.sc. Hazer Dana, i kanë dorëzuar kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, strategjinë për Qytetin e Mençur dhe Ekologjik, duke e bërë kështu Gjilanin qytetin e parë në Kosovë me një strategji konkrete me orientim të ri zhvillimor.
Kjo strategji, trajton në mënyrë të integruar konceptet “Smart City” dhe “Eco City”, që synojnë t’i ofrojnë qytetit të Gjilanit një strategji konkrete për t’i menaxhuar nevojat momentale dhe kërkesat për të ardhmen, duke e ndihmuar atë në procesin e transformimit përmes teknologjisë, drejt qytetit të mençur dhe ekologjik.
Ky transformim parasheh më shumë hapësira publike dhe të gjelbërta, transport të qëndrueshëm urban e trafik të menaxhueshëm, ruajtjen dhe promovimin e identitetit urban e trashëgimisë kulturore, digjitalizim të shërbimeve publike, si dhe mbrojtje strikte të burimeve dhe mjedisit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur jashtëzakonisht i kënaqur me këtë projekt, që përbën një vizion të qartë për një qytet të mençur dhe ekologjik, teksa ka falënderuar UBT-në për bashkëpunimin në këtë dhe disa programe të tjera të përbashkëta me qytetin e Gjilanit.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që sot i kemi vënë bazat e një qytetit të mençur dhe ekologjik, pasi gjatë ditës pranuam strategjinë e harmonizuar nga ekipet e Komunës së Gjilanit dhe ata të Universitetit për Biznes dhe Teknologji. Këtë strategji do ta zhvillojmë dhe do të jemi të parët në ndërtimin e vizionit për një qytet të mençur dhe ekologjik, i cili i jep benifite të drejtpërdrejta jo vetëm zhvillimit të komunës, por edhe jetës ekonomike në Gjilan”, ka thënë Haziri.
Profesorët e UBT-së, dr.sc. Tomor Çela, dr.sc. Hazer Dana dhe msc. Shqiprim Ahmeti kanë thënë se objektivat strategjike dhe projektet konkrete janë në funksion të vizionit për Gjilanin qytet të mençur dhe ekologjik, teksa këtë hap dhe strategji për transformimin e qytetit të Gjilanit në Qytet të Mençur, e kanë cilësuar si zgjidhje të mençur të administratës komunale për të avancuar shërbimet për qytetarët e Gjilanit.
Strategjia për Gjilanin Qytet të Mencur dhe Ekologjik mbështetet në 5 objektiva strategjike, të cilat përfshijnë aspektin socio-ekonomik, mjedisor, infrastrukturor si dhe komponentën e qeverisjes transparente lokale, e të cilat janë:
- Menaxhimi i Mençur dhe i Integruar i Infrastrukturës së Ujësjellësit
- Dixhitalizimi i bibliotekës së qytetit dhe i arkivës ndërkomunale
- Dixhitalizimi i shërbimit për leje ndërtimore (e-Leja)
- Rrjeti i Integruar për Wi-Fi publik në zonën urbane, i qasshëm për të gjithë dhe pa pagesë
- Rrjeti i Integruar i hapësirave të gjelbërta dhe atyre publike në zonën urbane