UBT News

UBT fuqizon ekspertët e ardhshëm të real estate me përvojë direkte nga industria e vlerësimit të paluajtshmërive

Në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm për të ofruar arsim cilësor, praktik dhe të harmonizuar me kërkesat reale të tregut, studentët e Fakultetit Menaxhim i Patundshmërive dhe Infrastrukturë në UBT, në kuadër të lëndës “Vlerësimi i Paluajtshmërive 1”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha, patën mundësinë të mirëpresin në një ligjëratë të veçantë MSc. Mendim Blakaj, CEO i MDM Real Estate, një nga kompanitë më të specializuara në vlerësimin profesional të pasurive të paluajtshme për bankat kryesore komerciale në Kosovë.

Kjo ligjëratë profesionale solli para studentëve një qasje të avancuar dhe të drejtpërdrejtë mbi industrinë e vlerësimit të pronave, duke ndërlidhur konceptet teorike me praktikat konkrete të tregut. Përmes prezantimit të metodave kryesore të vlerësimit – Metodës së Shitjeve të Krahasueshme, Metodës së të Ardhurave nga Qiraja dhe Metodës së Kostos – studentët patën mundësinë të kuptojnë mekanizmat profesionalë që përdoren në proceset e vlerësimit për institucionet financiare dhe sektorin privat.

Fokus i veçantë iu kushtua Metodës së Shitjeve të Krahasueshme, një ndër qasjet më të përdorura në praktikën bashkëkohore, ku përmes rasteve reale dhe analizave konkrete nga përvoja 8-vjeçare e Blakajt, studentët panë se si vlerësimi profesional shkon përtej formulave teknike, duke u shndërruar në një kombinim të shkencës, analizës së tregut dhe artit profesional.

Diskutimi nxori në pah rëndësinë e saktësisë, etikës profesionale dhe njohjes së tregut në zhvillimin e ekspertëve të suksesshëm të real estate, ndërsa studentët përfituan njohuri të drejtpërdrejta mbi sfidat dhe standardet që karakterizojnë industrinë moderne të pasurive të paluajtshme.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të dëshmojë vizionin për të krijuar ura të forta ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke u ofruar studentëve jo vetëm dije akademike, por edhe përvojë praktike nga profesionistë të dëshmuar të tregut.

Exit mobile version