UBT organizoi ceremoninë tradicionale të fundvitit 2025, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment të veçantë mirënjohjeje dhe falënderimi për angazhimin dhe për të shënuar sukseset e përbashkëta të këtij viti akademik.

“UBT është një institucion që ndërtohet mbi përkushtimin, inovacionin dhe besimin në dije. Çdo vit që përmbyllim është një dëshmi e rrugëtimit tonë të përbashkët dhe e guximit për të menduar përtej kufijve”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e certifikatave të mirënjohjes për stafin që ka shërbyer me përkushtim për 10 dhe 20 vjet në UBT. Me duartrokitje të gjata, u nderuan profesionistët që për më shumë se një dekadë kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e institucionit, ndërsa një vlerësim i posaçëm iu nda Murat Retkocerit, për 20 vite angazhim dhe besnikëri institucionale.
Në mesin e të nderuarve për 10 vite përkushtim u përfshinë:
Alfred Marleku, Bekim Selimi, Beni Kizolli, Blerta Vula Rizvanolli, Blerton Abazi, Dafina Tmava, Ferid Selimi, Gent Hasimja, Gezim Radoniqi, Hysen Ahmeti, Ilir Zylfiu, Mirlinda Jashanica Gashi, Safete Veliu Rexhepi, Saranda Demolli, Sema Kazazi Karahoda, Valon Hoti dhe Visar Krelani.
Nën organizimin e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, studentët dhe profesorët e UBT-së sollën performanca të kuruara me profesionalizëm, duke dëshmuar talentin, kreativitetin dhe energjinë rinore që e karakterizon universitetin. Interpretimet muzikore dhe prezantimet artistike krijuan një atmosferë të veçantë festive, duke e shndërruar sallën në një hapësirë frymëzimi dhe gëzimi kolektiv.
Ceremonia e fundvitit 2025 u mbyll me mesazhe bashkimi, falënderimi dhe optimizmi për vitin që vjen, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së për të vazhduar rrugën e ekselencës akademike dhe inovacionit. Ky vit shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në historinë e institucionit, çerek shekulli nga themelimi i UBT-së, si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vizionit afatgjatë të tij.
