UBT ka zgjeruar infrastrukturën e tij edhe me mbi 22 mijë metra katrorë më shumë, duke modernizuar deri në detajin e fundit kushtet për studime të avancuara e komode për studentët e saj. Po ashtu, duke krijuar një ambient frymëzues e relaksues të punës për komunitetin e saj të madh që përbëhet nga mbi një mijë të punësuar.
Me hapësirën e re, një objekt modern e me arkitekturë bashkëkohore e me standardet më të larta të ndërtimit, përfshirë kujdesin e jashtëzakonshëm për izolimin e tij sipas standardeve më të mira eco, me vendosjen e paneleve solare për energjinë e ripërtëritshme, UBT krahas kualitetit të lartë të studimeve tani po vendos një standard të ri në arsimin e lartë edhe në fushën e infrastrukturës e ndërtimit, duke e bërë këtë institucion model edhe për universitetet përtej Kosovës me kushtet që ofron.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, konsideron se infrastruktura është një prej parametrave kryesorë krahas cilësisë, që garanton një shkollim të suksesshëm.
“Ne punojmë çdo ditë për të rritur kualitetin e studimeve, duke përmirësuar infrastrukturën, duke sjellë teknologjinë më të avancuar, laboratorët më modern e duke e kombinuar mësimdhënien me punë praktike brenda ekosistemit që kemi krijuar në UBT”, është shprehur rektori Hajrizi, duke e parë si çelësin e suksesit ndërlidhjen e mësimdhënies teorike me angazhim në prodhim apo shërbim, si testin final për kualifikimin e profesionistëve të rinj, e për çka infrastruktura e avancuar e moderne është parakushti themelor.
“Me infrastrukturën që ofron sot UBT, studenti ynë ka gjithçka çka i nevojitet brenda ekosistemit për të korrur sukses në studimet e tij dhe për t’i shërbyer me kapacitete të forta profesionale e akademike shoqërisë”, ka shtuar ai.
UBT aktualisht ka mbi njëmijë të punësuar, mbi 15 mijë studentë aktivë, mbi 150 specializime të ndryshme studimi, mbi 200 laboratorë të ndryshëm, poliklinikën, qendrat më të mëdha në rajon për teknologji dhe inovacion, qendrën 5G, qendrën e realitetit virtual dhe të shtuar, fabrikat e mençura, serat bujqësore, kopshtin botanik, infrastrukturën e modernizuar sportive e rekreative, kampuse në të gjitha qendrat kryesore në Kosovë, si dhe Hub-et më të mëdha teknologjike në Korçë – Shqipëri, Prishtinë dhe Prizren.
Të gjitha këto investime kanë për synim që të nxisin të diplomuarit që të përballen suksesshëm me sfidat e ardhshme, duke i shërbyer me krenari familjes, shtetit e kombit të tyre.