UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në zhvillimin e infrastrukturës së tij digjitale, duke u bërë pjesë aktive e KOSIX (Kosovo Internet Exchange), platforma kryesore për shkëmbimin e trafikut të internetit në Kosovë.
Pas një bashkëpunimi të ngushtë me ARKEP, konfigurimet e peering-ut me KOSIX janë përfunduar me sukses dhe tashmë janë plotësisht funksionale. Trafiku përmes KOSIX ka filluar të kalojë në mënyrë aktive, ndërsa shkëmbimi i rrugëve (BGP routes) me operatorët e tjerë vendorë po funksionon normalisht.
Ky implementim përfaqëson një hap të rëndësishëm për UBT, duke sjellë përfitime konkrete në performancën e rrjetit. Përmes këtij integrimi, pritet përmirësim i ndjeshëm i trafikut lokal, ulje e latencës dhe optimizim i përdorimit të burimeve të rrjetit, duke garantuar një përvojë më të shpejtë dhe më të qëndrueshme për përdoruesit.
Përfshirja në KOSIX forcon më tej pozitën e UBT-së si institucioni lider në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit në vend, duke kontribuar në ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme të komunikimit digjital në Kosovë.
UBT mbetet i përkushtuar në avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të tij teknologjike, duke investuar në zgjidhje inovative që mbështesin arsimin, kërkimin shkencor dhe shërbimet digjitale për komunitetin.
