Në derbin e së dielës ndërmjet Gjilanit dhe Ballkani që po zhvillohen në stadiumin e qytetit në Gjilan, pak para përfundimit të saj tifozët vendas zbritën në fushë dhe sulmuan fizikisht portierin e Ballkanit Stivi Frashëri.
Gardiani i skuadrës nga Suhareka mbeti në fushë me disa lëndime të rënda trupore dhe u transferua në Spitalin e Gjilanit për trajtim mjekësor, raporton KosovaPress.
Në orët e mbrëmjes të së dielës Frashëri i lirua nga spitali dhe sot përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë detajet mbi gjendjen e tij shëndetësore si dhe ka falënderuar të gjithë për mbështetjen.
“Falemnderit shumë për mbështetjen dhe interesimin tuaj. Momentalisht jam duke u kontrolluar nga stafi mjekësor i Ballkanit dhe drejtuesve në tërësi. Me një përkujdesje shembullore, sot po kryejmë edhe analiza më të detajuara për të pasur një pasqyrë të qartë të dëmtimit. Shpresoj që çdo gjë të jetë pa problem. Më vjen shumë keq që nuk mundem t’iu kthejë përgjigje të gjithëve. Ju dua shumë.. Falemnderit për gjithçka”, ka shkruar Frashëri.
Në lidhje me këtë rast, policia ka konfirmuar se janë arrestuar pesë perosna.