Dje, në moshën 71-vjeçare, u nda nga jeta një prej figurave më të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare, aktori, regjisori dhe profesori Enver Petrovci.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë dhimbje dhe pikëllim të madh jo vetëm për komunitetin artistik, por edhe për publikun e gjerë që e ka ndjekur në teatër, film dhe televizion për dekada me radhë.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot, duke filluar nga ora 17:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës, ku familja, miqtë, kolegët dhe dashamirët e artit do t’i japin lamtumirën e fundit.
Në një njoftim zyrtar të publikuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, është bërë e ditur se homazhet për Petrovcin do të mbahen nga ora 13:30 deri në 15:30, ku qytetarët dhe figura të njohura të artit do të kenë mundësinë të shprehin respektin dhe mirënjohjen e tyre.
Pas homazheve, në orën 15:30, zhvillohet mbledhja komemorative, e cila pritet të jetë një përkujtim solemn i jetës dhe veprës së tij të pasur.
Enver Petrovci ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Ai ishte ndër themeluesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe një personalitet që kontribuoi fuqishëm në zhvillimin e artit dramatik.
Përveç roleve të paharrueshme, Petrovci ka ndikuar edhe në breza të tërë aktorësh përmes punës si pedagog dhe regjisor. Ikja e tij la një boshllëk në kulturën shqiptare, por trashëgimia artistike e tij do të mbetet gjithmonë frymëzim për brezat që vijnë. /A.Z/UBT News/