Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishin në grevë prej 100 ditësh dhe u rikthyen fuqishëm me shfaqje.
Pas suksesit me tri repriza të shfaqjes ‘Martesa’, mbrëmë në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes mysafire “Të turpëruarit” me regji të Altin Bashës, e cila vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana.
“Të turpërurit” trajton identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë moderne. Përmes dilemave të personazheve, shfaqja sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe nevojën për dialog e reflektim mbi marrëdhëniet ndërkulturore.
Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.
Shfaqja u dha mbrëmë me 17 mars dhe repriza do të jetë sonte me 18 mars, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e TKK-së. /UBT News/