Gjykata Themelore në Prishtinë, ditën e hënë ka shpallur fajtor Shukri Bujën në rigjykimin e rastit “Veteranët”, duke e dënuar me një vit burgi, ku ka reaguar vetë Buja, duke e quajtur vendimin si politik, dhe tentim për ta ndalur rrugëtimin e tij politik.
“Të nderuar qytetarë, të nderuar anëtarë e simpatizantë të PDK-së, tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani”, ka deklaruar Buja.
“Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore. Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye unë do të vazhdoj betejën ligjore deri në fund”, theksoi ai.
Ai ka pohuar se është përballë me drejtësinë serbe, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve të shtetit të Kosovës për më shumë se dy dekada dhe nga të gjitha ka dal i pastër dhe fitimtar./ Telegrafi