Edon Zhegrova ka marrë vlerësime të larta nga mediumi i njohur italian Tuttosport pas paraqitjes së tij në ndeshjen e Kosovës ndaj Austrisë, e cila u mbyll me rezultat 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në raportimin për sfidën, mediumi italian e veçoi anësorin kosovar, duke e cilësuar paraqitjen e tij si të shkëlqyer dhe duke e konsideruar ndër lojtarët më aktivë të Kosovës.
“Zhegrova dha një asistim dhe luajti shkëlqyeshëm, gjithmonë në qendër të aksionit. Ai ishte më aktivi nga shokët e tij të ekipit, me shumë aksione cilësore”, shkruan Tuttosport.
Zhegrova ishte protagonist në golin e Kosovës. Në minutën e 70-të, ai asistoi për Fisnik Asllanin, i cili sapo kishte hyrë në lojë, duke i dhënë Kosovës epërsinë 1-0.
Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta ruanin avantazhin deri në fund. Austria barazoi në minutën e 85-të përmes Christoph Lang, pas asistimit të Sasa Kalajdzic.
Tuttosport thekson gjithashtu se Zhegrova, i cili tashmë aktivizohet te Juventusi, luajti për 81 minuta, para se të zëvendësohej nga Milot Krasniqi.
Pas katër ndeshjeve, Kosova ka grumbulluar pesë pikë, ndërsa Austria kryeson Grupin 3 të Ligës B me tetë pikë.
D.L
