UBT News

Kritikohet shfaqja “The Masked Singer”, Erdogan urdhëron mediat të mbrojnë vlerat turke

Presidenti i Turqisë ka urdhëruar që të ndërmerren hapa kundër programeve televizive dhe mediave të tjera që konsiderohen në kundërshtim me “vlerat themelore” të Turqisë.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se vendimi synon të eliminojë efektet e dëmshme të programeve televizive me përmbajtje të huaj të cilat janë përshtatur në Turqi.

Njoftimi vjen pas fillimit të adaptimit turk nga Fox TV të shfaqjes ndërkombëtare ‘The Masked Singer’, ku të famshëm performojnë të veshur me kostum për të fshehur identitetin e tyre. Shfaqja është kritikuar në internet për përmbajtje të supozuar satanike dhe pagane.

Synimi do të jetë mbrojtja nga prodhimet që ndikojnë negativisht në familjen, fëmijët dhe të rinjtë, përmes ligjeve dhe kushtetutës turke. Të rinjtë do të mbrohen nga “mesazhet e përcjella përmes simboleve të caktuara”, thuhet në vendim, pa elaboruar se cilat mund të jenë ato mesazhe apo simbole.

Mbikëqyrësi i medias turke, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit, tashmë ka kompetenca të gjera dhe mund të gjobisë mediat ose të urdhërojë ndërprerje të përkohshme, për shkelje të vlerave turke.

Ky veprim ndërmerret shpesh kundër kanaleve televizive që janë kritike ndaj qeverisë dhe u janë shqiptuar gjoba kanaleve për përmbajtje erotike ose LGBT.

Reporters Without Borders e rendit Turqinë në vendin 153 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror të vitit 2021./UBTNews/

Exit mobile version