Kompania kombëtare ajrore turke Turkish Airlines transportoi rreth 2.4 milionë pasagjerë në prill, thuhet në deklaratën dërguar Platformës së Zbulimit Publik të Turqisë (KAP), transmeton Anadolu Agency (AA).
Shifra e muajit të kaluar ishte më ulët për 60 për qind krahasuar me periudhën para-pandemike në prill 2019, treguan të dhënat e linjës ajrore.
Faktori i ngarkesës së pasagjerëve ose zënia e ulëseve poashtu shënoi rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019 me 24.6 pikë përqindjeje në 58.5 për qind në prill.
Kompania regjistroi një rritje prej 56.2 për qind të vëllimit të ngarkesave që barti muajin e kaluar, duke arritur në 153.798 tonë.
Turkish Airlines shtoi gjithashtu 12 destinacione të reja nga viti i kaluar, duke arritur në një total prej 320 destinacionesh në të gjithë botën.
Numri flotës së saj të avionëve u rrit në 364 në fund të prillit 2021, nga 335 në prill 2019.
Shifrat në periudhën janar-prill
Në katër muajt e parë të këtij viti, numri i përgjithshëm i pasagjerëve të Turkish Airlines ishte rreth 8.7 milionë, me një rënie prej 61.4 për qind krahasuar me vitin 2019.
“Ngarkesa dhe Posta e transportuar gjatë periudhës janar-prill 2021 u rrit me 26.3 për qind në 586.022 tonë nga 463.989 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2019”, tha kompania.
E themeluar në vitin 1933, Turkish Airlines shërbeu 28 milionë pasagjerë vitin e kaluar me një normë të shfrytëzimit të ulëseve me 71 për qind mes kufizimeve të udhëtimit dhe mbylljes së kufijve kombëtarë për shkak të koronavirusit.