UBT News

​Tudor në rrezik shkarkimi, ky mund të jetë trajneri i ri i Juventusit

Pas humbjes së tretë radhazi, pozita e Igor Tudor në stolin e Juventusit është vënë seriozisht në pikëpyetje. Disfata ndaj Lazios në “Olimpico” ka përkeqësuar krizën e bardhezinjve, të cilët më herët kishin humbur edhe ndaj Como-s (2-0) dhe Real Madridit (1-0) në Ligën e Kampionëve.

Sipas mediave italiane, ndeshja e radhës kundër Udineses do të jetë shansi i fundit për trajnerin kroat.

Në fillim ishte parashikuar që drejtuesit ta gjykonin në katër ndeshjet e ardhshme, por rezultatet negative mund të sjellin një vendim të menjëhershëm.

Tudor, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, kritikohet për mungesë ekuilibri dhe për faktin se ekipi nuk ka një identitet të qartë loje. Ndryshimet e shumta taktike dhe rotacionet në formacion kanë krijuar paqartësi në skuadër.

Ndërkohë, drejtuesit e Juventusit kanë nisur të shqyrtojnë emrat e mundshëm për zëvendësim. Në listë gjenden Luciano Spalletti, Roberto Mancini dhe Raffaele Palladino si opsione italiane, ndërsa nga jashtë përmenden Terzic, Rose, Xavi dhe Southgate.

E sigurt mbetet se Thiago Motta, ish-trajner i Juventusit, nuk do të rikthehet. Vendimi përfundimtar për të ardhmen e Tudorit pritet pas ndeshjes me Udinesen./S.K/KP/

Exit mobile version