Trajneri Thomas Tuchel nuk beson që Reece James t’i bashkohet javën e ardhshme grumbullimit me Kombëtaren e Anglisë, ku bëri shaka që lojtari mund të luajë vetëm water-polo, pasi që ai ende është duke u rikuperuar nga lëndimi dhe është duke u stërvitur në pishinë.
James bënë pjesë në listën e 23 lojtarëve që trajneri Gareth Southgate ka grumbulluar për ndeshjet kualifikuese kundër Andorras dhe Hungarisë.
“Unë isha i habitur. Unë e kuptoj që ai është zgjedhur nga Kombëtarja e Anglisë, por kjo nuk do të ndodhë. Informatat e mija të fundit janë që ai nuk do të bashkohet me ta. Mund të jetë vetëm një mosmarrëveshje”, tha Tuchel.
“Kur e pash lajmin, unë mendova që James është pjesë e ekipit të water-polos për Anglinë, sepse tani për tani ai është duke u stërvitur vetëm në pishinë”, shtoi trajneri gjerman.
Mbrojtësi i krahut të djathtë Reece James pësoi një lëndim në kyçin e këmbës së tij, në humbjen 1:0 të Chelseat kundër Manchester Cityt, ndeshje kjo që u zhvillua javën e kaluar në kuadër të xhiros së pestë të Premier Ligës angleze.