Me katër gola në po kaq ndeshje me fanellën e Chelseat, Romelu Lukaku po konfirmon se londinezët nuk i çuan dëm 115 milionë eurot që paguan te Interi për kartonin e sulmuesit belg, i cili ka dërguar në rrjetë katër nga 6 gjuajtjet e tij në kuadrat.
Trajneri Thomas Tuchel pranoi rëndësinë e Romelu Lukakut për skuadrën dhe deklaroi se ishte pikërisht një lojtar me cilësitë e tij, që i mungonte skuadrës pas një sezoni si ai i kaluari ku arritën të shpalleshin kampionë të Europës.
“Ne kemi fituar edhe pa Lukakun, por ai është tipi i lojtarit që na mungonte, për personalitetin dhe talentin që ka”, tha Tuchel.
“Ai nuk e humb asnjëherë konfidencën, edhe kur skuadra e shërben pak, por pret rastin e duhur, për të na ndihmuar. Thënë thjesht, ai është super i rëndësishëm për ne, pasi në treg nuk gjen lehtë sulmues me cilësitë e belgut”, deklaroi Tuchel.