UBT News

Tuchel kritikon lojtarët e Chelseat pas barazimit me Zenitin

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka kritikuar skuadrën e tij për dështimin për të ruajtur mentalitetin e tyre sulmues kur e kanë epërsinë në një ndeshje.

Pavarësisht se ishin duke fituar 1-0 dhe 3-2 përballë Zenit Shën Petersburgut të mërkurën në mbrëmje, “Blutë” në fund morën vetëm një pikë nga ballafaqimi me skuadrën ruse në Ligën e Kampionëve.

Një situatë të ngjajshme skuadra e Tuchel e përjetoi së fundi edhe në Premier Ligë kur ata kryesuan dy herë ndaj West Ham United përpara se të humbnin 3-2 në fund të ndeshjes.

Tuchel mendon se është krijuar një mendësi jo e duhur e lojtarëve të tij, diçka që ai dëshiron ta zhdukë gjatë ndeshjeve të ardhshme.

“Analiza ime është shumë e qartë: sjellja jonë ndryshon kur kemi avantazhin dhe kjo është diçka që nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk duhet ta bëjmë kurrë më”, tha Tuchel pas ndeshjes.

“Ne kemi nevojë për një nivel më të lartë të sprinteve, vrapimeve dhe përqendrimit. Duhet ta ruajmë agresivitetin dhe të mos lejojmë të na përsëriten këto situata”, theksoi më tutje ai.

Ky barazim bëri që Chelsea të renditet në vendin e dytë në grupin H prapa Juventusit duke shtuar mundësinë e përballjes me skuadra si Bayern Munich ose Real Madrid në fazën 1/16 të Ligës së Kampionëve.

Exit mobile version