Thomas Tuchel e ka pranuar se titulli në Premierligë mund të jetë i paarritshëm për Chelsea, por këmbëngul se pa mjaftueshëm në barazimin me Wolves për të besuar se skuadra e ka themelin për të fituar tituj në të ardhmen.
Tuchel debutoi si trajner i Chelseat të mërkurën, 24 orë pasi u emërua si pasardhës i Frank Lampardi.
Kjo nënkupton se trajneri gjerman ishte në gjendje ta kryente vetëm një seancë stërvitore me skuadrën e vet të re, para ndeshjes kundër Wolves.
Chelsea dështoi të shënonte gol pavarësisht mbizotërimin e madh kundër vizitorëve në Stamford Bridge.
Megjithëkëtë, Tuchel ishte i lumtur me paraqitjen e lojtarëve të tij dhe tha se Chelsea i ka mjetet për të luftuar për tituj në Angli dhe në Evropë.
“Po (jam i zhgënjyer që nuk fituam). E meritonim fitoren për përpjekjet që i bënë djemtë. Por fola në zhveshtore dhe u thashë të gjithëve se nuk ka vend për zhgënjim”, tha Tuchel.
“Jam i lumtur me paraqitjen. Ishim të vendosur mirë se nuk lejuam rrezik nga kundërsulmet edhe pse luajtëm ndaj njërit prej ekipeve më të rrezikshme. Ishim shumë të organizuar dhe të guximshëm”, u shpreh trajneri i ri i Chelseas.
Ai shtoi: “Titulli është i pakapshëm, të jem i sinqertë. Kur bëhesh trajner i Chelseat, pritet të luftosh për tituj; Premierligë, Ligën e Kampionëve dhe të gjitha kupat. Kjo është e qartë”.