Tensione të forta po shoqërojnë protestën përpara Parlamentit në Tiranë, ku qytetarë dhe përfaqësues të bashkive të ndryshme janë mbledhur për të kundërshtuar draftin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale, i cili parashikon shkrirjen e disa bashkive.
Përplasja nisi në momentin kur protestuesit tentuan të heqin gardhin mbrojtës metalik, me ç’rast policia ndërhyri duke përdorur spraj lotsjellës për prapësimin e tyre. Si pasojë e sprajit djegës, disa qytetarë kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Lëndime të lehta kanë pësuar edhe disa efektivë policie nga goditjet me shishe e sende të tjera.
Përkundër tensioneve, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë përpara Parlamentit në kërkim të tërheqjes së projektligjit. /Euronews/
