UBT News

Takimi Kurti-Hamza: Diskutohet për institucionet e reja dhe presidentin, palët shpalosin qëndrimet e tyre

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kanë zbardhur detajet e para pas takimit të zhvilluar sot në ambientet e Kuvendit, ku u diskutua për konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithëse takimi u karakterizua nga një frymë diskutimi, palët kanë shfaqur qëndrime të qarta lidhur me rolet e tyre politike në legjislaturën e re.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, e ka vlerësuar si “konstruktiv” takimin me Hamzën, duke shprehur pritje të njëjta edhe për takimin e pasdites me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa ka adresuar kritika ndaj nënkryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, për refuzimin e ftesës.

Kurti pranoi se nga ky bashkëbisedim i parë nuk pati “ndonjë rezultat konkret”, por uroi që kjo atmosferë konstruktive të vazhdojë në përputhje me afatet kushtetuese. Sa i përket postit të presidentit, ai theksoi se përgjegjësia u takon të gjitha partive dhe se si pikënisje duhet të synohet një figurë konsensuale, jashtë partive politike, me vlera të dëshmuara kombëtare e profesionale.

Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të qartë se përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve dhe gjetjen e partnerëve i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë, duke konfirmuar se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.

Megjithatë, Hamza ka premtuar se subjekti i tij do të luajë një rol konstruktiv opozitar dhe do të votojë pro të gjitha çështjeve me interes për qytetarët, duke përfshirë këtu marrëveshjet e rëndësishme financiare ndërkombëtare. Lidhur me çështjen e presidentit, Hamza shtoi se asnjë parti tjetër nuk mund ta zgjedhë atë pa LVV-në, ndaj kësaj të fundit i mbetet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të veta. /E.A/

Exit mobile version