UBT News

Tryezë shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane, si dhe Institutin e Albanologjisë pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut, organizoi tryezën shkencore ndërkombëtare me temë “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”. Ky eveniment do të zhvillohet gjatë dy ditëve, më 4 dhe 5 nëntor, dhe do të përfshijë referime nga mbi 25 studiues nga Shqipëria dhe vendet e tjera të botës.

Veprimtaria u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, i cili shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e këtij takimi në kontekstin e avancimit të studimeve gjuhësore.

Tryeza shkencore ka si objektiv shqyrtimin e arritjeve më të fundit në fushën e gjuhësisë indoeuropiane, të mbështetura në metoda të kombinuara ndërdisiplinore. Në qendër të diskutimeve do të jetë artikulli i botuar në revistën prestigjioze “Science” nga profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorë, i cili, duke u mbështetur në të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese, arrin në përfundimin se origjina e gjuhës së përbashkët indoeuropiane daton rreth 8100 vjet më parë, me një degëzim që nisi rreth 1000 vjet më vonë.

Studimi përfshin gjithashtu gjuhën shqipe dhe variantet e saj: variantin standard, gegërishten dhe arbërishten. Analizat krahasuese dhe statistikore tregojnë se shqipja ka patur një shkëputje të hershme rreth 6000 vjet më parë, çka do të diskutohet gjerësisht në konferencë. Pritet që referuesi kryesor të theksojë ndarjen e hershme të shqipes dhe kalimin e paraardhësve të shqiptarëve në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit ballkanik, në vend që në degëzimin verior përmes stepës.

Akad. Gjinushi, në fjalën e tij, theksoi se kjo tryezë është një hap përpara në vazhdën e arritjeve të Kuvendit të Dytë të Studimeve Albanologjike, i organizuar në Tiranë tri vjet më parë. Ai përmendi se studimi i Heggarty-t dhe bashkautorëve ka ngjallur një interes të madh, jo vetëm në mesin e dijetarëve albanologë, por në të gjithë komunitetin akademik, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e identifikimit të origjinës së gjuhës shqipe.

“Popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës dhe identitetit të tyre. Çfarë po konfirmohet nga studimet e reja jo vetëm që nuk bie ndesh me arritjet e indoeuropeistikës, por e forcon, e saktëson dhe e pasuron atë,” tha akademiku Gjinushi.

Ky takim shkencor pritet të prodhojë diskutime të frytshme dhe konkluzione që do të ndihmojnë në avancimin e njohurive mbi gjuhën shqipe dhe vendin e saj midis gjuhëve indoeuropiane./ATSH/

Exit mobile version