Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për “The Telegraph” se seriozisht po e konsideron largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga NATO-ja, pasi ajo nuk iu bashkua në luftën në Iran.
Në një intervistë për mediumin prestigjioz, presidenti e ka cilësuar aleancën si “tigër prej letre”. Ai ka thënë se largimi i SHBA-së nga traktati i mbrojtjes tani është “përtej rikonsiderimit”.
Është shenja më e fortë deri tash se Shtëpia e Bardhë nuk e konsideron më Evropën si partnere të besueshme, pas refuzimit të aleatëve që të dërgojnë anije lufte për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Trump u pyet nëse do të rikonsideronte largimin e SHBA-së nga aleanca pas luftës. “Po, do të thosha përtej rishqyrtimit”, ka thënë ai. “Nuk u ndikova kurrë nga NATO. Gjithmonë e kam ditur se janë tigër prej letre dhe Putini e di këtë gjithashtu”.
Partnerët e NATO-s kanë hezituar të ndihmojnë në hapjen e ngushticës, nga e cila kalon 20 për qind e eksporteve të derivateve. Teherani e ka mbyllur për javë të tëra duke çuar në vlera të larta çmimin e naftës e që po kërcënon me recesion botëror.
“Përpos që nuk ishin aty, ishte e vështirë të besohej. Dhe unë nuk bëra përpjekje të madhe. Veç u thash ‘hej’, ju e dini, unë nuk insistova shumë. Vetëm mendoj se është dashur të jetë automatike. Ne kemi qenë aty automatikisht, përfshirë Ukrainën. Ukraina nuk ishte problem i joni. Ishte test dhe ne ishim aty për ta, dhe gjithmonë do të ishim aty për ta. Ata nuk ishin për ne”, ka shtuar Trumpi.
Duke e vënë theksin te Mbretëria e Bashkuar, presidenti ka thënë se Marina Mbretërore nuk ishte e gatshme për detyrën.
Shtëpia e Bardhë ka shtuar zërat frustrues se partnerët e kamotshëm nuk po i qëndrojnë në krah. Para se Trumpi të fliste, në një intervistë për “Fox News”, sekretari i shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Amerika duhet të “rishikojë” anëtarësimin në NATO, kur të përfundojë lufta në Iran.
“Nuk ka asnjë dyshim, fatkeqësisht, se kur të përfundojë ky konflikt, ne do të duhet të rishikojmë raportet. Nëse NATO-ja është vetëm për mbrojtjen e Evropës nëse ata sulmohen, por ata të na mohojnë të drejtën tonë bazike kur na duhen, kjo s’është marrëveshje e mirë. Është zor të rrish aty”, ka thënë ai.
Trumpi e ka vlerësuar Rubion për këto fjalë.
