UBT News

Trumpi mbron Infantinon: “Do të ishte gabim i tmerrshëm nëse FIFA e zëvendëson”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dalë në mbrojtje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke thënë se do të ishte një “gabim i tmerrshëm” nëse drejtuesi zviceran shkarkohet apo zëvendësohet.

Mbështetja e Trumpit për Infantinon vjen pasi UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) publikuan një letër të përbashkët, në të cilën e akuzojnë presidentin e FIFA-s për shkelje të besimit lidhur me planin për shitjen e një pjese të aksioneve të ngjarjeve të FIFA-s te investitorët privatë.

Infantino kishte planifikuar shitjen e rreth 21 për qind të aksioneve të një entiteti të ri të FIFA-s, i cili do të menaxhonte të drejtat komerciale të Kupës së Botës. Megjithatë, plani hasi në kundërshtim të fuqishëm dhe përfundimisht dështoi.

Trumpi e ka mbështetur publikisht Infantinon për herë të parë që nga momenti kur plani u bë publik, më 28 korrik.

“FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për ndonjë arsye, do të konsideronte zëvendësimin e Gianni Infantinos”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

“Ai është fantastik, pasi sapo ka udhëhequr Kupën e Botës më të suksesshme të zhvilluar ndonjëherë. Nëse ai largohet, nuk do të jetë më kurrë aq e suksesshme ose fitimprurëse”, shtoi presidenti amerikan.

Kupa e Botës 2026 u zhvillua në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Spanja u shpall kampione pas fitores 1:0 ndaj Argjentinës në finale.

Kur foli për herë të parë për planin e FIFA-s për shitjen e aksioneve, më 31 korrik, Trump tha se nuk kishte diskutuar për këtë çështje me Infantinon. Megjithatë, një kompani e lidhur me njerëz të afërt të presidentit amerikan pritej të ishte ndër investitorët që do të merrnin aksionet.

Bëhet fjalë për “Thrive Eternal”, kompani amerikane e kapitalit sipërmarrës e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushnerit, dhëndrit të Trumpit.

Infantino ka krijuar një marrëdhënie të afërt me presidentin amerikan. Në dhjetor të vitit 2025, kreu i FIFA-s i dorëzoi Trumpit Çmimin e Paqes të FIFA-s.

Ndërkohë, presioni ndaj Infantinos po rritet. UEFA ka kërcënuar me bojkotimin e të gjitha ngjarjeve të FIFA-s dhe ka paralajmëruar edhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore lidhur me planin e dështuar për shitjen e aksioneve.

Letra e publikuar të hënën nga UEFA, CONCACAF-i – që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe – dhe AFC-ja erdhi pasi FIFA pretendoi se kishte një përpjekje të bashkërenduar dhe të vazhdueshme për të minuar autoritetin e organit qeverisës të futbollit botëror dhe presidentit të tij, Infantino.

Kritikat dhe presioni po shtohen, ndërsa disa prej aktorëve kryesorë të futbollit botëror synojnë ta detyrojnë Infantinon të japë dorëheqjen. Megjithatë, deri më tani, nuk ka shenja se presidenti i FIFA-s ka ndërmend të largohet nga posti.

D.L

Exit mobile version