Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë përfunduar të enjten një takim trepalësh në qytetin kinez të Shenzhenit, ku në qendër të diskutimeve ishin lufta në Ukrainë dhe kontrolli i armëve bërthamore.
Takimi i liderëve të tri fuqive më të mëdha bërthamore u zhvillua rreth një tavoline të rrumbullakët në Vilën Kylin, pranë një liqeni dhe të rrethuar nga kodra të pyllëzuara, një ambient me histori të gjatë të mbajtjes së takimeve të ndjeshme diplomatike, ku më herët kanë qëndruar edhe ish-lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-il, babai i Xi-së, Xi Zhongxun, si dhe përfaqësues të Dalai Lamës.
Në hapje të bisedimeve, Trumpi e cilësoi takimin si historik, duke theksuar se paqja nuk arrihet duke refuzuar mundësitë për dialog. Putini, i cili vjen në këtë takim pas dëmtimit të rëndë të një ure kyç që lidh Krimenë me Rusinë gjatë luftës me Ukrainën, deklaroi se tri vendet ndajnë interesa të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, duke përfshirë edhe atë në Ukrainë.
Nga ana e tij, Xi, i cili drejtonte takimin, nuk iu referua drejtpërdrejt Ukrainës, por tha se historia tregon se harmoninë mes fuqive të mëdha e sjell paqen, ndërsa përplasjet e tyre sjellin trazira. Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, Xi u bëri thirrje dy liderëve të tjerë për ndalimin dhe eliminimin e armëve bërthamore me synim një botë pa to, ndonëse Kina ka vijuar zgjerimin e programit të saj bërthamor, ndërsa shtoi se tri vendet duhet të inkurajojnë zgjidhjen politike dhe diplomatike të konflikteve.
Para seancës së përbashkët, Trumpi pati takime të ndara me Xi-në dhe Putinin, të cilët i quajti miq. Ai deklaroi se ai dhe Xi ndajnë bindjen se qarkullimi i naftës në Ngushticën e Hormuzit, i prekur nga lufta me Iranin, duhet të vazhdojë, megjithëse Xi nuk e përmendi drejtpërdrejt Iranin në deklaratat e tij.
Pavarësisht tonit të lartë diplomatik, mes Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës mbeten dallime të thella për Ukrainën, Iranin, armët bërthamore dhe tregtinë, çka ngre pikëpyetje për rezultate afatgjata, ndërkohë që mbajtja e takimit në kuadër të një samiti të Azi-Paqësorit ka nxitur shqetësime te shtetet më të vogla për mundësinë e anashkalimit të interesave të tyre. /BBC/
