UBT News

Trump vlerëson Vjosa Osmanin pas mandatit: Trashëgimia juaj do të formësojë të ardhmen e rajonit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një letër falënderimi ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit të saj, duke vlerësuar lart kontributin e saj për vendin dhe rajonin.

Në letrën e datës 8 prill, Trump ka shprehur admirim për lidershipin e guximshëm të Osmanit, duke e cilësuar atë si një partnere të besueshme të Shteteve të Bashkuara dhe duke theksuar se trashëgimia e saj do të formësojë të ardhmen e Kosovës, Ballkanit dhe Evropës.

Një fokus i veçantë në këtë letër i është kushtuar bashkëpunimit në kuadër të “Bordit të Paqes”, një nismë e re ku pjesëmarrja e Kosovës konsiderohet e rëndësishme për promovimin e lirisë dhe përfundimin e konflikteve në botë. Trump ka bërë të ditur se pret me padurim vazhdimin e bashkëpunimit me Osmanin në vitet në vijim, duke lënë të hapur mundësinë për angazhime të përbashkëta edhe jashtë zyrës presidenciale.

Nga ana tjetër, Vjosa Osmani ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar Presidentin Trump për vlerësimin e punës së saj dhe ka rikonfirmuar se lidhja e fortë mes Kosovës dhe Amerikës do të mbetet e palëkundur. Mandati i Osmanit si presidente përfundoi më 4 prill 2026, ndërsa detyra e saj aktualisht po ushtrohet përkohësisht nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

Exit mobile version