UBT News

Trump thotë se nuk do ta nënshkruajë ligjin dypartiak për strehimin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se nuk do ta nënshkruajë ligjin dypartiak për përballueshmërinë e strehimit, të cilin ai e kishte quajtur “një mërzi të madhe”, por masa mund të bëhet ligj edhe pa nënshkrimin e tij, sipas Reuters.

Trump tha në një postim në rrjetet sociale se po e refuzonte nënshkrimin e tij “në shenjë proteste ndaj faktit se Senati i Shteteve të Bashkuara nuk është i aftë të kalojë ligjin ‘Save America’ (Të Ruajmë Amerikën)”.

Ky projektligj për strehimin ishte një rast i rrallë i një marrëveshjeje dypartiake për një legjislacion të rëndësishëm në Kongresin thellësisht të ndarë. Ndër dispozitat e tij kryesore janë shmangia ose përshpejtimi i rishikimeve mjedisore për projektet e ndërtimit të shtëpive dhe vendosja e një tavanit për numrin e shtëpive ekzistuese njëfamiljare që mund të zotërojnë investitorët e mëdhenj të Wall Street-it.

Trump e anuloi papritur një ceremoni nënshkrimi të parashikuar për 24 qershor për t’u bërë presion republikanëve që të kalonin ligjin “SAVE America”, i cili do të kërkonte dëshmi të shtetësisë për t’u regjistruar për të votuar dhe do të krijonte një bazë kombëtare të të dhënave të votuesve duke përdorur të dhënat shtetërore. Trump ka pretenduar prej kohësh dhe në mënyrë të rreme për mashtrime të përhapura në zgjedhjet në SHBA.

Pasi ligji është miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit, ai mund të hyjë në fuqi pavarësisht nëse Trump e nënshkruan atë ose jo. Pas pranimit të projektligjit, Trump ka 10 ditë kohë për ta nënshkruar ose për të vendosur veton ndaj tij, dhe nëse nuk bën asnjërën, ai do të bëhet ligj automatikisht pa nënshkrimin e tij. /Reuters/ /E.A/

Exit mobile version