Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja synon të marrë rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, duke paralajmëruar se kjo mund të ndodhë edhe “në një formë shumë më armiqësore” nëse negociatat dështojnë.
Trump ka pretenduar më herët se Irani ishte “pajtuar për gjithçka” në kuadër të bisedimeve me SHBA-në, përfshirë bashkëpunimin për largimin e uraniumit të pasuruar nga territori iranian dhe transferimin e tij drejt SHBA-së.
Në një intervistë për CBS, ai ka mohuar mundësinë e përdorimit të trupave amerikane në terren për këtë qëllim. “Jo. Jo trupa”, ka deklaruar ai, duke shtuar se procesi do të realizohej në bashkëpunim me palën iraniane, në rast të arritjes së një marrëveshjeje.
“Do ta marrim së bashku sepse deri atëherë do të kemi një marrëveshje dhe nuk ka nevojë për luftë kur ka marrëveshje”, është shprehur Trump.
Më vonë, gjatë një tubimi në Arizona, ai ka përsëritur qëndrimin e tij, duke përmendur edhe atë që e quajti “pluhur bërthamor”. Sipas tij, SHBA-ja do të marrë “të gjithë pluhurin bërthamor”, term që ai e përdori për t’iu referuar uraniumit të pasuruar, ndonëse kjo shprehje nuk njihet në terminologjinë e industrisë bërthamore.
Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë iranian ka hedhur poshtë deklaratat e Trumpit, duke mohuar se Irani ka pranuar të dërgojë rezervat e uraniumit në SHBA. Ai gjithashtu ka kundërshtuar pretendimin se Irani do të ndalë pasurimin e uraniumit, duke theksuar se vendi “kurrë nuk do të pranojë përjashtim nga e drejta ndërkombëtare”.
