UBT News

Trump paralajmëron ndalimin e eksportit të naftës dhe kërkon nga Evropa të hapë rezervat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e bllokimit të eksporteve të naftës (dizel) për shkak të krizës globale dhe rritjes së çmimeve, ndërsa Presidenti Donald Trump ka deklaruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre strategjike, raporton BBC.

Këto deklarata pasojnë thirrjen e Sekretarit të Thesarit amerikan, Scott Bessent, i cili i kërkoi Evropës të përgatitet menjëherë për nxjerrjen në treg të këtyre furnizimeve, duke argumentuar se “fermerët, kamionistët dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën” e çmimeve që po fluturojnë.

Uashingtoni ka kërcënuar se do të kufizojë eksportet e dizelit pas rritjes drastike të kostove si pasojë e luftës në Iran. Kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore për votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve të rëndësishme nëntoriane për Kongresin.

Shtetet e Bashkuara janë një furnizues kyç i dizelit në nivel global, duke eksportuar nga 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i mundshëm i dërgesave jashtë vendit do të rriste edhe më shumë presionin mbi çmimet në shtetet e tjera.

“Po e mendojmë shumë seriozisht,” tha Trump gjatë vikendit lidhur me bllokimin e eksporteve, ndërsa të enjten shtoi se mund t’u kërkojë partnerëve evropianë përdorimin e rezervave të tyre.

“Partnerët tanë evropianë duhet të përpe shpejtojnë përmbushjen e angazhimeve të tyre ekzistuese dhe të vënë menjëherë në dispozicion furnizime shtesë për të trajtuar ndërprerjet aktuale,” shkroi Bessent në rrjetet sociale.

Evropa dhe Britania në bisedime urgjente

Të enjten, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për një përgjigje të koordinuar ndaj një ndalimi të mundshëm nga SHBA-ja.

Sipas të dhënave nga organizata e automobilizmit RAC, çmimet e dizelit në Britani të Madhe arritën nivele rekorde këtë javë, duke prekura kufirin e 2 paundëve për litër.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se po zhvillohen “shumë telefonata dhe takime” për situatën e dizelit, përfshirë kontakte të nivelit të lartë me administratën amerikane. Nga ana tjetër, zyrtarët britanikë theksuan se vendi ka një furnizim të qëndrueshëm, por pranuan se çmimet pritet të rriten më tej.

Pse po rriten çmimet globale?

Çmimet e benzinës dhe dizelit në mbarë botën janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran në muajin shkurt.

Mbyllja e ngushticës strategjike të Hormuzit — përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë — ka bllokuar rrugët kryesore të transportit dhe ka çuar në shtrenjtimin e të gjitha nënprodukteve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

 

Exit mobile version