UBT News

Trump paralajmëron Iranin: Marrëveshje ose sulme me intensitet më të lartë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se operacioni ushtarak SHBA-Izrael i koduar si “Epic Fury” dhe bllokada në Ngushticën e Hormuzit mund të përfundojnë, me kushtin që Irani të përmbushë pikat për të cilat është rënë dakord paraprakisht.

Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se nëse ky supozim vërtetohet, rrugët detare do të hapen për të gjithë, përfshirë edhe vetë Iranin. Megjithatë, ai u tregua i paqartë sa i përket detajeve specifike të marrëveshjes së cilës i referohet, duke e cilësuar gatishmërinë e Iranit si një “supozim të madh”.

Në mesazhin e tij, Trump nuk kursye as paralajmërimet e ashpra, duke bërë të qartë se në mungesë të një pajtimi nga pala iraniane, bombardimet do të rifillojnë menjëherë. Ai specifikoi se faza e radhës e sulmeve do të jetë e një niveli dhe intensiteti shumë më të lartë se operacionet e mëparshme.

Ky qëndrim vjen pas njoftimit të tij të fundit për ndërprerjen e përkohshme të nxjerrjes së anijeve të bllokuara në rajon, ndërkohë që nga ana tjetër, Teherani zyrtar ka shprehur aspiratën për arritjen e një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse” me Shtetet e Bashkuara për të ulur tensionet në rajon.

Exit mobile version