Edhe pse ka qëndruar larg kamerave, Presidenti Donald Trump ka zgjedhur rrjetet sociale për të shpërfaqur një dozë të lartë optimizmi përpara bisedimeve të paqes me Iranin, që pritet të nisin këtë javë në Pakistan. Përmes platformës së tij, Truth Social, Trump ka bërë të ditur se SHBA-ja ndodhet në një pozicion shumë të favorshëm negociues.
Sipas Presidentit, bllokada detare e SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit po i shkakton Iranit humbje prej 500 milionë dollarësh në ditë, duke e rënduar ndjeshëm ekonominë e këtij vendi. Trump pretendon se ky presion po funksionon dhe se çdo marrëveshje e re do të jetë shumë më e favorshme se akordi i vitit 2015 (JCPOA) i arritur gjatë administratës Obama.
“Nuk jam nën presion” -Trump hodhi poshtë raportimet se ai po nxiton drejt një marrëveshjeje për shkak të presioneve të brendshme apo ndërkombëtare.
“Lexoj lajmet e rreme që thonë se jam nën presion. Kjo nuk është e vërtetë! Nuk jam nën asnjë lloj presioni, megjithëse çdo gjë do të ndodhë relativisht shpejt,” ka deklaruar ai.
Përkundër toneve triumfuese, mbeten shumë pikëpyetje. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse të dyja palët do të ulen vërtet në tryezën e bisedimeve në Pakistan. Gjithashtu, Trump përballet me presionin e tij ekonomik për të rihapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë ndërkombëtare, ndërkohë që opinioni publik në Amerikë mbetet gjerësisht kundër përfshirjes në një konflikt të ri të armatosur.
Megjithatë, për Presidentin Trump, situata po shkon “shumë mirë” dhe ai beson se Amerika do të dalë me një marrëveshje historike që tejkalon të gjitha marrëveshjet e mëparshme./BBC/
