Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti të martën një takimi të drejtuesve më të lartë të teknologjisë për atë që e quajti “një grumbullim të jashtëzakonshëm” të mendjeve që po “ndërtojnë Epokën e Artë të Amerikës”.
Lista e të ftuarve përfshinte udhëheqës nga OpenAI, Anthropic, Nvidia, SpaceX, Meta dhe Google — të gjithë figura kyçe në industrinë e inteligjencës artificiale (AI) në SHBA.
Takimi erdhi ndërsa disa ekzekutivë dhe ekspertë të teknologjisë kanë kërkuar mbikëqyrje më të rreptë të AI-së, duke cituar shqetësimet për rreziqet potenciale që ajo i kanos njerëzimit.
Më poshtë janë tri nga pikat kryesore nga samiti i teknologjisë i organizuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Pakti për “vetërregullimin” e AI-së
Trump u ulë për t’ju përgjigjur pyetjeve të medias për rreth 30 minuta krah drejtuesve të lartë të teknologjisë pas takimit me dyrore të mbyllura.
Presidenti tha se ekzekutivët kishin nënshkruar një dokument “moralisht detyrues” që do të shërbente si një “formë mbrojtjeje” ndaj rreziqeve potenciale të AI-së.
Sipas marrëveshjes, të cilën Trump e publikoi online, kompanitë janë përgjegjëse për garantimin e sigurisë së teknologjisë së tyre. Kompanitë po ashtu u dakorduan të zbatojnë masa mbrojtëse për t’i mbajtur modelit në funksionim siç është parashikuar, si dhe për të detektuar e rregulluar me shpejtësi çdo problem.
Ata do të bashkëpunojnë gjithashtu me “auditorë të pavarur” për të vlerësuar nëse sistemet e tyre të AI-së po funksionojnë siç duhet dhe për t’u siguruar që platformat e tyre të mos “sulmojnë ose të qasen në sisteme teknike në mënyra të paplanifikuara.”
Paktit i vunë firmën Trump, shefi i Google Sundar Pichai, ai i Anthropic Dario Amodei, Mark Zuckerberg i Meta-s, presidenti i OpenAI Greg Brockman, Elon Musk i SpaceX dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang.
“Është pothuajse si një kushtetutë, në njëfarë mënyre,” tha Trump duke iu referuar marrëveshjes. “Dhe njerëzit më të fuqishëm në botë e nënshkruan atë, si dhe unë e nënshkrova si president.”
Trump shtoi se do të krijojë një bord për të mbikëqyrur sigurinë e mjeteve të AI-së, mirëpo nuk specifikoi se kush do të jetë pjesë e këtij bordi.
Zuckerberg tha se pakti i jep “popullit amerikan dhe klientëve besimin se teknologjia funksionon” siç duhet, duke e quajtur takimin një “bisedë historike”.
Amodei e cilësoi si një mënyrë “për të fituar me siguri”, duke ju referuar deklaratës së presidentit në fillim të këtij muaji se “kushdo që fiton garën e AI-së, fiton gjithçka”.
Ekspertët skeptikë ndaj paktit
Sidoqoftë, jo të gjithë ekspertët janë në linjë me këtë marrëveshje.
Hulumtuesi i qeverisjes së AI-së në Universitetin Teknologjik Nanyang, Jose Miguelito Enriquez, tha se pakti tregon një “konsensus në rritje”, por nuk adreson çështjen se a duhet të mbahen përgjegjës zhvilluesit e AI-së në rast incidentesh.
Marrëveshja është “thellësisht e paimpresionueshme” dhe vjen përkundër thirrjeve nga disa liderë botërorë e figura të industrisë për rregullore më të rrepta mbi teknologjinë, deklaroi profesoresha e së drejtës Kimberlee Weatherall nga Universiteti i Sidneit.
Ajo shtoi se marrëveshja duket se i lejon kompanitë të “përcaktojnë vetë se çfarë konsiderohet siguri” dhe nuk specifikon pasojat në rast shkeljesh.
“Pakti duhet të injorohet, pasi shërben thjesht si shpërqendrim,” shtoi ajo.
Jeannie Paterson nga Qendra për Inteligjencë Artificiale dhe Etikë Digjitale në Universitetin e Melburnit tha se vetërregullimi mund të nënkuptojë që kompanitë të vendosin “vetëm masa minimale mbrojtëse”.
Ajo shtoi se marrëveshja ngjall “shumë pak besim”, duke marrë parasysh se incidentet e fundit me AI-në që del nga kontrolli sugjerojnë se kompanitë kanë qenë të padisiplinuara në qasjen e tyre.
(Lajmi vjen gjithashtu pas hapave të fundit nga kompania OpenAI, e cila anuloi lansimin e modelit të saj më të ri AI, GPT-6.1 Astra, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, pasi kontrollet e saj ranë nën hetim pas incidenteve ku modelet u qasën pa autorizim në platforma qeveritare në Australi).
Këmbëngulja te qendrat e të dhënave (Data Centres)
Trump po ashtu ritheksoi mbështetjen e tij për zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave — infrastrukturës kryesore kompjuterike që mundëson funksionimin e inteligjencës artificiale.
Zgjerimi i qendrave të të dhënave ka nxitur reagime dhe rezistencë në të gjithë vendin për shkak të shqetësimeve mbi konsumin e lartë të energjisë elektrike dhe ndikimit të mundshëm në komunitetet lokale.
Ndërtimi i këtyre qendrave është shndërruar po ashtu në një pengesë potenciale politike për Partinë Republikane të Trumpit përpara zgjedhjeve të afërta afatmesme (midterm) në SHBA në nëntor.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Marist Poll në bashkëpunim me NPR dhe PBS News në fillim të këtij muaji, 65% e votuesve të regjistruar u shprehën kundër ndërtimit të qendrave të të dhënave në zonat e tyre.
