Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të enjten se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin ishte afër, vetëm disa orë pasi anuloi natën e tretë radhazi të sulmeve ushtarake.
Trump kishte deklaruar më parë se SHBA-ja do ta godiste Iranin “shumë fort”, por disa orë më vonë tha se negociatorët e tij “sapo kishin arritur një marrëveshje të shkëlqyer” me Iranin.
Ai u tha gazetarëve se marrëveshja është “në pritje të finalizimit të dokumenteve, gjë që duhet të përfundojë gjatë ditëve të ardhshme” dhe se “me shumë gjasë” do të mbahet një ceremoni nënshkrimi në Evropë.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i tha televizionit shtetëror se raportimet për një marrëveshje janë “spekulative” dhe se “asgjë nuk është finalizuar”.
Duke folur para gazetarëve, Trump tha:
“Ne kemi një marrëveshje që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore, dhe ky ishte qëllimi kryesor i gjithë asaj që duhej të bënim për ta arritur këtë. Pra, është një gjë shumë e madhe”.
Ai shtoi se “ndoshta do të ketë një nënshkrim, ndoshta në Evropë”, sapo dokumentet të finalizohen, dhe se kjo duhet të ndodhë “shumë shpejt”.
Sipas Trumpit, dokumentet janë “pothuajse në formën përfundimtare, kështu që do të shohim”.
Trump tha gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet “sapo të nënshkruhet marrëveshja”.
Lideri amerikan tha se kishte biseduar me udhëheqësit e rajonit, përfshirë aleatët e Gjirit dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar:
“I gjithë Lindja e Mesme është shumë e lumtur”.
Trump ka pretenduar edhe më parë se një marrëveshje me Iranin ishte afër, por pa u konkretizuar.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të gjera ndaj Iranit më 28 shkurt. Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe duke mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit – një rrugë kyçe transporti për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm në botë.
Megjithëse ishte rënë dakord për një armëpushim në prill, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer herë pas here sulme, përfshirë dy raunde goditjesh reciproke gjatë kësaj jave. Në të njëjtën kohë, Trump ka vazhduar të flasë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin.
Pas komenteve të tij më të fundit, çmimi i naftës së tipit Brent ra ndjeshëm në rreth 89 dollarë për fuçi (rreth 66 paund), një rënie prej 4.4% gjatë ditës. /BBC/ /E.A/
