Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të rritë doganat amerikane mbi automobilat me origjinë nga Kanadaja, ndërsa lufta tregtare mes dy fqinjëve po vazhdon të nxehet, raporton BBC.
Trump tha të hënën se do të rritë tarifat doganore për veturat dhe kamionët kanadezë, si dhe për pjesët e automobilave, nga 25% në 50% duke filluar nga 1 janari.
Kjo vjen pasi bisedimet tregtare SHBA-Kanada dështuan në fund të javës së kaluar, me secilën palë që akuzonte tjetrën për parashtrimin e kërkesave të papranueshme të minutës së fundit.
Të hënën vonë, zyrtarët e Kanadasë njoftuan një konferencë për media të martën, ku do të shpalosin mënyrën se si vendi do t’i përgjigjet luftës tregtare dhe si do të punojë për të “mbrojtur dhe mbështetur punëtorët dhe bizneset kanadeze gjatë kësaj periudhe me sfiduese”.
Në konferencën për media në orën 11:00 do të marrin pjesë udhëheqës qeveritarë të sektorit të biznesit, financave dhe zhvillimit ekonomik.
Më herët gjatë ditës, Kryeministri Mark Carney e quajti kërcënimin më të fundit të Trumpit për tarifa si diçka jo të papritur dhe e akuzoi presidentin se po kërkon të shkatërrojë industrinë e automobilave të Kanadasë. Ai shtoi se Kanadaja është e gatshme t’u rikthehet bisedimeve vetëm nëse SHBA-ja vjen me “qasjen e duhur”.
Lufta e fjalëve pasoi deklaratat e disa zyrtarëve amerikanë dhe kanadezë se bisedimet janë pezulluar pa ndonjë datë të caktuar për rinisjen e tyre.
Kanadaja u largua nga negociatat tregtare të premten vonë në mbrëmje, pak çaste para afatit të vendosur nga SHBA-ja që do t’i shtonte një taksë prej 50% mbi 20 miliardë dollarë (28 miliardë dollarë kanadezë; 14 miliardë paund) të importeve kanadeze. /BBC/
