UBT News

Trump kërcënon Iranin pas ngecjes së bisedimeve dhe krizës së naftës

MINT HILL, NORTH CAROLINA - SEPTEMBER 25: Republican presidential nominee, former U.S. President Donald Trump speaks to attendees during a campaign rally at the Mosack Group warehouse on September 25, 2024 in Mint Hill, North Carolina. Trump continues to campaign in battleground swing states ahead of the November 5 presidential election. (Photo by Brandon Bell/Getty Images)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një ultimatum të prerë Teheranit përmes platformës së tij Truth Social, duke deklaruar se “koha po ikën” dhe duke kërkuar veprime të shpejta, përndryshe pasojat për Iranin do të jenë shkatërruese, raporton BBC.

Ky reagim erdhi menjëherë pas një diskutimi që Trump zhvilloi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në një kohë kur negociatat për t’i dhënë fund luftës kanë hyrë në një qorrsokak.

Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane po akuzojnë Uashingtonin zyrtar për mungesë kompromisi dhe për dështim në ofrimin e lëshimeve konkrete ndaj propozimeve të tyre, gjë që sipas agjencisë “Mehr” po çon drejt një bllokade totale të bisedimeve.

Ky tension i ri rikthen në pah kërcënimet e hershme të Trumpit për shkatërrimin e një civilizimi të tërë, pak para armëpushimit të prillit, ndërsa tani ai e konsideron këtë armëpushim si pothuajse të dështuar për shkak të kërkesave iraniane, të cilat i quajti plotësisht të papranueshme.

Në qendër të këtij ngujimi diplomatik qëndrojnë kushtet diametralisht të kundërta të të dyja palëve. Irani, përmes Ministrisë së tij të Jashtme, i ka mbrojtur propozimet e veta duke i quajtur ato gjeneroze dhe të përgjegjshme.

Këto kërkesa përfshijnë ndalimin e menjëhershëm të luftës në të gjitha frontet – duke iu referuar edhe sulmeve të Izraelit ndaj Hezbollahut në Liban –, heqjen e bllokadës detare amerikane mbi portet iraniane, garanci për mos-sulmim në të ardhmen, dëmshpërblime të luftës si dhe njohjen e sovranitetit të plotë mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit.

Si kundërpërgjigje, Uashingtoni ka paraqitur pesë kushte të rrepta, ku më kryesoret janë lejimi i funksionimit të vetëm një qendre bërthamore në Iran dhe dorëzimi i të gjithë uraniumit të pasuruar shumë direkt në SHBA.

Megjithatë, Trump ka sinjalizuar një zbutje të lehtë të qëndrimit të tij të mëparshëm për mbyllje totale, duke sugjeruar se mund të pranojë një pezullim 20-vjeçar të programit bërthamor iranian, që mbetet edhe pika më e nxehtë e mosmarrëveshjes.

Përkundër faktit se armëpushimi që nisi pas sulmeve masive ajrore të forcave amerikane dhe izraelite më 28 shkurt është respektuar kryesisht, situata në terren mbetet jashtëzakonisht e brishtë për shkak të incidenteve të herëpashershme me armë zjarri.

Ndikimi i këtij konflikti ka tejkaluar dimensionin rajonal duke goditur drejtpërdrejt ekonominë globale, pasi Irani po vazhdon ta mbajë të bllokuar Ngushticën e Hormuzit si masë hakmarrëse. Duke qenë se përmes kësaj rruge ujore kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz të lëngshëm natyror, ky bllokim ka shkaktuar një rritje të hovshme dhe drastike të çmimeve të karburanteve në mbarë tregjet ndërkombëtare, duke rritur presionin mbi fuqitë botërore për të gjetur një zgjidhje të shpejtë diplomatike. /BBC/

 

Exit mobile version