Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë fituar ushtarakisht përballë Iranit, duke shtuar se ka dyshime nëse Teherani është i gatshëm apo i denjë për një marrëveshje të re.
Gjatë një prononcimi në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, menjëherë pas përfundimit të fjalimit të tij, Trump është deklaruar rreth tensioneve të fundit në Ngushticën e Hormuzit. “Ne sapo i goditëm ata shumë fuqishëm,” ka thënë Trump, duke iu referuar sulmeve ajrore amerikane mbi bregdetin iranian. Ai shtoi se SHBA-ja “tashmë ka fituar ushtarakisht” dhe se Iranit “i ka mbetur shumë pak”.
Megjithatë, përkundër pretendimeve të tij se pala iraniane ka kërkuar bisedime, Trump u shpreh skeptik për hapat e mëtejshëm. “Thjesht nuk e di nëse janë të denjë për të bërë një marrëveshje. Nuk e di nëse do ta respektojnë atë,” përfundoi ai, duke bërë që perspektiva për një zgjidhje diplomatike të duket edhe më e largët pas përshkallëzimit të fundit të luftimeve. /BBC/ /E.A/
