UBT News

Trump: Kemi arritur suksese në Iran, por lufta vazhdon

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një fjalimi televiziv, deklaroi se ushtria amerikane pothuajse i ka përmbushur qëllimet e saj në Iran. Edhe pse lufta ka hyrë në javën e pestë, ai nuk dha një datë të saktë se kur do të përfundojë ajo, por u zotua se do ta kthejë këtë shtet në “Epokën e Gurit”, raporton Reuters.

Trump tha se forcat amerikane kanë shkatërruar marinën dhe aviacionin e Iranit, si dhe kanë dëmtuar rëndë programet e tyre raketore dhe bërthamore. “Ne i kemi të gjitha letrat në dorë, ata nuk kanë asgjë,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

Përkundër këtyre deklaratave, mbeten ende çështje të pazgjidhura si statusi i uranit të pasuruar dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, e cila është pikë kyçe për furnizimin global me naftë. Trump u shpreh se kjo rrugë detare do të hapet “natyrshëm” sapo të përfundojë lufta.

Paralajmërimet për sulme të reja Presidenti njoftoi se SHBA do të godasë fort Iranin edhe për dy apo tri javë të tjera. Nëse udhëheqësit e rinj iranianë nuk pranojnë të bisedojnë, ai paralajmëroi sulme mbi rrjetin elektrik dhe infrastrukturën e naftës.

Rritja e çmimeve dhe presioni ndërkombëtar Fjalimi i Trump nuk dha shumë shpresë për qytetarët amerikanë dhe aleatët, të cilët po përballen me rritjen e çmimit të derivateve. Trump ia hodhi fajin Iranit për shtrenjtimin e naftës dhe kërkoi nga vendet e tjera që varen nga ky furnizim të marrin drejtimin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Edhe pse u raportua se Trump mund të fliste për raportet me NATO-n, ai nuk e përmendi aleancën në fjalimin e tij 19-minutësh. Ndërkohë, tregjet financiare reaguan me rënie, duke reflektuar frikën se ky konflikt mund të zgjasë ende. /Reuters/

 

Exit mobile version