Gjatë një vizite në Europë për të shënuar 100 vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, ish presidenti amerikan kishte këmbëngulur asokohe përpara shefit të tij të stafit, John Kelly se “Hitleri ka bërë shumë gjëra të mira”.
Kjo deklaratë në 2018-tën, që e la të “shokuar” ish gjeneralin amerikan, raportohet tani në një libër të ri nga Michael Bender. Interesi për “Frankly, We Did Win This Election”, e ka paraprirë publikimin e tij të parashikuar javën e ardhshme.
The Guardian siguroi paraprakisht një kopje të librit. Aty thuhet se Trump e bëri komentin befasues gjatë një leksioni historie aty për aty, ku Kelly i “kishte kujtuar presidentit sesi ishin rreshtuar vendet gjatë konfliktit”, dhe bëri disa lidhje mes luftës së parë dhe mizorive të Hitlerit gjatë luftës së dytë. Bender është një nga autorët që e kanë intervistuar Trumpin që prej largimit të tij nga pushteti.
Republikani megjithatë mohon t`i ketë bërë komentet polemizuese mbi Hiterlin. Bender sidoqoftë citon burime të paidentifikuara sipas të cilave Kelly i tha presidentit se po gabohej në gjykimin e tij, por Trumpi sipas tyre nuk tërhiqej nga ideja e vet, duke theksuar se cfarë rimbëkëmbjeje ekonomike pati Gjermania me Hitlerin gjatë viteve 1930.