Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë në finalen e Kupës së Botës, ku të dielën do të përballen Spanja dhe Argjentina. Prania e tij në stadium është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë.
Më herët, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte bërë të ditur se Trump do të ketë një rol në ceremoninë e mbylljes dhe do t’ia dorëzojë trofeun ekipit që do të shpallet kampion i botës.
Pjesëmarrja e liderëve shtetërorë në finalet e Kupës së Botës është një traditë e njohur, ndërsa në disa edicione ata kanë qenë pjesë e ceremonisë së dorëzimit të trofeut. Kjo ka ndodhur edhe në finalet e Botërorit “Rusia 2018” dhe “Katar 2022”.
Kjo do të jetë paraqitja e parë e Trumpit në stadium gjatë këtij Botërori, pasi ai nuk ka qenë i pranishëm në asnjë nga ndeshjet e mëparshme të turneut.
Ndërkohë, ka pasur reagime të shumta edhe për përfshirjen e tij në rastin e futbollistit amerikan Folarin Balogun. Pas një kërkese për pezullimin e dënimit të lojtarit, Balogun u lejua të luante ndaj Belgjikës, pavarësisht se kishte marrë karton të kuq në ndeshjen paraprake. Ky vendim shkaktoi kritika ndaj FIFA-s dhe ngriti diskutime mbi ndikimet e jashtme në vendimet sportive.
D.L
Foto: Reuters
