Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë të tensionuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të martën, duke reflektuar dallimet mes tyre për mënyrën se si duhet të vazhdohet me luftën dhe tensionet ndaj Iranit, raportojnë burime amerikane sipas CNN.
Sipas një zyrtari amerikan, kjo nuk ishte biseda e parë mes dy liderëve gjatë ditëve të fundit. Gjatë një telefonate të zhvilluar të dielën, Trump kishte bërë të ditur se kishte gjasa të vazhdonte me sulme të reja të targetuara ndaj Iranit në fillim të javës. Operacioni, sipas raportimeve, pritej të quhej “Operacioni Sledgehammer”.
Megjithatë, rreth 24 orë pas asaj bisede, Trump njoftoi se po pezullonte sulmet e planifikuara për të martën, me kërkesë të aleatëve të Gjirit Persik, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Burime amerikane dhe persona të njohur me situatën thanë se vendet e Gjirit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtëpinë e Bardhë dhe ndërmjetës pakistanezë për të krijuar një kornizë që mund të hapte rrugë për negociata të mëtejshme diplomatike me Iranin.
“Jemi në fazat përfundimtare me Iranin. Do të shohim çfarë do të ndodhë,” deklaroi Trump para gazetarëve të mërkurën.
“Do të kemi ose një marrëveshje, ose do të bëjmë disa gjëra paksa të ashpra. Por shpresoj që kjo të mos ndodhë,” shtoi ai.
Negociatat në vazhdim kanë shkaktuar pakënaqësi te kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili prej kohësh ka mbështetur një qasje më agresive ndaj Teheranit. Sipas burimeve amerikane dhe izraelite, Netanyahu beson se çdo vonesë vetëm sa i jep avantazh Iranit.
Gjatë bisedës njëorëshe të së martës, Netanyahu i shprehu Trumpit zhgënjimin e tij për shtyrjen e sulmeve dhe argumentoi se presidenti amerikan duhet të vazhdonte sipas planit fillestar.
Burime izraelite thanë se Netanyahu kërkoi rifillimin e veprimeve ushtarake, ndërsa dallimet mes dy liderëve u bënë të qarta: Trump dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje diplomatike, ndërsa Netanyahu priste vazhdimin e aksioneve ushtarake kundër Iranit./CNN/
