Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi fillestar për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt, duke shpallur një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në të gjitha frontet.
Marrëveshja, e nënshkruar gjatë samitit të G7-ës në Francë, parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës strategjike të Hormuzit, heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane dhe një plan prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit. Megjithatë, palët kanë lënë një afat prej 60 ditësh për të negociuar çështjen më komplekse: programin bërthamor të Iranit.
Sipas dokumentit të nënshkruar në Pallatin e Versajës, Irani ka rikonfirmuar se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe ka pranuar që uraniumi i tij i pasuruar të hollohet brenda vendit nën mbikëqyrjen e IAEA-s, një lëshim ky nga ana e SHBA-së që fillimisht kërkonte largimin e materialit nga territori iranian. Presidenti Trump e mbrojti me ngulm marrëveshjen përpara gazetarëve, duke theksuar se ky hap shmangu një “depresion ekonomik global” dhe një “katastrofë” që po mbante tregjet nën presion të jashtëzakonshëm.
Pas njoftimit, çmimet e naftës Brent pësuan rënie të menjëhershme, duke zbritur në 78.79 dollarë për fuçi. Trump gjithashtu zbuti qëndrimin për raketat balistike, duke thënë se Teherani mund t’i mbajë ato nëse i posedojnë edhe vendet e tjera, por paralajmëroi me tone të ashpra se SHBA-ja do ta “bombardonte rëndë” Iranin nëse dështon arritja e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve.
Pavarësisht nënshkrimit, tensionet dhe mosbesimi mbeten të larta. Kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi për mediat shtetërore se “gishti i Iranit mbetet mbi këmbëzën e armës” dhe la të kuptohet se pas periudhës 60-ditore, Irani mund të fillojë të vendosë tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit – një rrugë detare nga ku kalon 20% e naftës në botë dhe që u bllokua de facto pas nisjes së konfliktit, ku SHBA dhe Izraeli vranë Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në ditën e parë të luftimeve.
Në rrafshin ndërkombëtar dhe të brendshëm, marrëveshja po përballet me pengesa të mëdha. Izraeli ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërheqë trupat nga Libani dhe ka vijuar sulmet ndaj Hezbollahut, gjë që ka sjellë një qortim publik nga Trump ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilit i kërkoi “pak më shumë butësi”. Ndërkohë, në Uashington, plani i paqes ka ndezur pakënaqësi të rënda te ligjvënësit e të dy krahëve politikë, ku senatori republikan Bill Cassidy e ka cilësuar tashmë këtë hap si “gafën më të madhe të politikës së jashtme në dekada”. /BBC/ /E.A/
